Një pilot ra në gjumë ndërsa ishte i vetëm në drejtimin e avionit mijëra metra mbi tokë.
Ishte
Agjensia Holandeze e Sigurisë Ajrore, ajo e cila publikoi të enjten
raportin mbi një incident të ndodhur në muajin shtator, kur një avion i
linjës holandeze “Transavia” doli jashtë kursit, rrugës për në ishullin
grek të Kretës.
Sipas raportit, i cili e konsideroi këtë incident
si “tepër serioz”, kapiteni ishte larguar në tualet, kur pilotin e dytë
e zuri gjumi.
Ai tentoi të hynte, por për shkak të sigurisë së shtuar pas 11 shtatorit, e kishte të pamundur të hapte derën nga jashtë.
Kapiteni
arriti të depërtonte në kabinë vetëm pasi shpërtheu derën disa minuta
më pas, falë ndihmës së ekuipazhit, duke alarmuar udhëtarët e avionit.
Ndryshe
nga sa besoi fillimisht, kapiteni u befasua kur pa se vartësi i tij nuk
kishte asnjë problem shëndetësor apo humbje ndienjash, por thjesht e
kishte zënë gjumi.
”Boeing 737” i “Transavia Air” përfundoi
udhëtimin e tij pa probleme, por dalja jashtë kursit për disa minuta
alarmoi kullën e kontrollit, e cila dyshoi për një rrëmbim të linjës.
Për
fatin e mirë të udhëtarëve, piloti i dytë ishte përgjumur ndërsa ishte i
mbeshtetur ne ndenjesen e tij dhe me autopilotin e aktivizuar. Nëse
avioni do të kishte qenë në atë moment në drejtim manual ose nëse
përgjumja do të sillte mbështetjen e pilotit mbi levën e komandimit,
pasojat e kësaj “dremitje” mund të kishin qenë fatale.
Në të
shkuarën, kur në kabinat e avionëve ndodhej dhe një inxhinjer i bordit,
incidente të tilla kanë qenë të panjohura, pasi në rastin e lëvizjes së
një prej pilotëve, mbeteshin gjithmonë dy persona në kabine.
Megjithatë,
avionët modernë drejtohen nga vetëm dy pilotë dhe një raport i
publikuar së fundmi nga një agjensi e Bashkimit Europian shkruante për
rrezikun gjithmonë e më të lartë që i kanoset sigurisë së fluturimit,
nga mbingarkesa dhe orët pa gjumë që pilotët i nënshtrohen./ILlyria.com/